Koha që Basha të heqë dorë nga kuajt e ngordhur dhe hajvanët e lodhur!
20/03/2017 - 15:16 Nga: Dritan Hila

Të bësh këshilltarin e Lulzim Bashës sot pas dekretimit te Fatmir Xhafes, është një detyrë e vështirë, pasi ndodhet në impas.

Pavarësisht  se dekretimin e Presidentit  Nishani u mundua ta paraqiste si një veprim të pritshëm dhe në favor të tij, ai vetëm i tillë nuk ishte. Dhe Nishani nuk ishte vetëm.  Me siguri ka pasur edhe miratimin e Berishës.

Por një betejë edhe nëse nuk fitohet, shërben për të nxjerrë mësime. Dhe mësimi më kryesor i saj është se antikomunizmi nuk të çon askund. Antikomunizmi është një kalë i ngordhur prej vitesh në Evropë madje edhe në retorikën e Berishës kishte vite që nuk dëgjohej. Ai shërbeu në vitet e para pas rënies së murit të Berlinit, por shpejt u pa se njerëzit nuk kanë qejf të merren me historinë por me çfarë do të kenë në pjatë. Mund të shërbejë edhe sot si motivim për gjithfarë debilësh që duan të çajnë rrugë me këtë flamur dhe sillen rrotull çadrës.

Zakonisht këta marrin diku tek më pak se 0.1% e votave. Por jo për një udhëheqës që do të vijë në pushtet dhe partia e të cilit nuk i ka votat e mjaftueshme për t’ia mbërritur qëllimit. Vetë historiku i PD ka treguar se ka arritur konsensusin popullor kur ka qenë gjithëpërfshirëse dhe jo sektare. Dhe e ka humbur atë kur ka rrëshqitur djathtas në frazeologjinë e saj.

Që të arrijë objektivin e saj, Partia Demokratike duhet të shndërrohe në parti populiste ose thënë ndryshe, popullore. Këtë nuk ja del dot ta bëjë duke drunjëzuar gjuhën ideologjike. Fatmir Xhafës mund t’i gjente njëqind argumente ta dënonte dhe refuzonte , por jo për të shkuarën e tij komuniste.

Shqiptarët e sotëm, më shumë se gjysma nuk e dinë se çfarë është komunizmi , pasi kanë lindur në grahmat e fundit ose pas rënies së tij; shumë prej atyre që e kanë përjetuar kujtojnë me nostalgji arritjet e tij dhe sigurinë sociale që të jepte; dhe të dy bashkë i çmojnë mungesën e korrupsionit dhe seriozitetin si shtet krahas sigurisë publike. Edhe shifrat prej 6 mijë të vrarësh dhe 150 mijë të prekurish nga represioni i tij në qofshin të vërteta, nuk janë më shumë se 2% e popullsisë prej gati 7 milionë që ka jetuar në harkun e gjysëm shekullit kur komunizmi sundoi.

Hiç asgjë po të krahasohet me shumë vende të lindjes ku megjithëse ishte represiv me shifra të frikshme, ai ka rigjetur votuesit. Sepse masat, thotë Frojdi, përpara lirisë, duan sigurinë.

Por ndoshta më shumë se një artikull gazete këtë mund t’ia shpjegojë një sociolog. Ajo që ka rëndësi për Lulzim Bashën në këto momente është të shenjojë shtresat që do iu drejtohet për të marrë votën dhe mbi këtë synim të rregullojë artikulimin.

Të afrojë rreth vetes njerëz të mirëshkolluar në perëndim dhe me vizion drejt të ardhmes.

Nëse do që të jetë rishtas konkurrues , t’i fuse  në arkivë përrallat me komunistë, pasi ata janë votuar nja 7 herë nga shqiptarët

. Le ta përdorë gjuhën e antikomunizmit atëhere kur ka ndërmend të humbasë. Ngjarja e fundit , ishte një mësim. Me kuaj të ngordhur apo gomerë të lodhur, nuk shkohet askund.

/Dritare.net/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
No destabilization, DP Chairman: This is a peaceful movement for free elections

Close